Gjenevë: Edhe një forum i suksesshëm shqiptaro-zviceran për patundshmëritë dhe financat

6 minutes read
186 Views

Forumi Real Estate, investime dhe financa, i mbajtur në Gjenevë, ishte edhe një hallkë në serinë e forumeve të kësaj natyre, të mbajtura më parë në Cyrih, Lozanë e gjetiu

E shtunë, 20 Prill 2024 – 20:00albinfo.ch

Forumi shqiptaro-zviceran (Real Estate, investime dhe financa), i mbajtur të premten në Centre de l’Espérance/8 Oak në Gjenevë, ishte një takim, i cili i ka bërë bashkë një numër të madh ndërmarrësish shqiptarë e zviceranë. Me një pjesëmarrje impresive prej rreth 200 vetash, forumi ishte organizuar nga albpoint, ndërsa platforma mediale albinfo.ch është partner medial i këtij organizimi ekonomik dhe ishte edhe një dëshmi për punën e përkushtuar dhe prej pionieri që kjo platformë po bën edhe në fusha që kalojnë informimin e diasporës shqiptare, që është angazhimi i saj primar.

Forumi i mbajtur në Gjenevë ishte edhe një hallkë në serinë e forumeve të kësaj natyre, të mbajtura më parë në Cyrih, Lozanë e gjetiu. Tregu i patundshmërive, i ndërtimit dhe i financave, gjegjësisht bashkëpunimi në këtë kontekst në mes të afaristëve shqiptarë – nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, diaspora – dhe atyre zviceranë, ishte në fokus të këtij tubimi. Në këtë kuptim ishte në nivel të lartë edhe prania e përfaqësuesve të shteteve përkatëse të prejardhjes, gjegjësisht, krerëve të përfaqësive diplomatike në Zvicër.

Kështu, pjesëmarrësve, me fjalë inkurajuese rasti iu drejtuan: Zonja Shukrije Ramadani, ushtruese e detyrës së Ambasadores së Kosovës në Zvicër, zonja Teuta Agai-Demjaha, ambasadore e Republikës së Maqedonisë së Veriut në selinë e OKB-së, në Gjenevë, dhe zoti Valon Gashi, sekretar i Ambasadës së Shqipërisë në Bernë.

Folësit i kanë përshëndetur punimet e forumit, duke e cilësuar si pikë të pashmangshme referimi për shumë nga organizimet e frytshme që zhvillohen në komunitetin shqiptar të Zvicrës.

Në cilësinë e organizatorit dhe mikpritësit, Sevdail Tahiri i ka përshëndetur pjesëmarrësit dhe ka falënderuar në veçanti afaristët e suksesshëm “vendës”, gjegjësisht krerët e kompanive të fuqishme nga Vaudi, Orllati Group dhe Probat Group.l

Tahiri ka shpalosur me pak fjalë kontributin e deritashëm të albpoint në lidhjen dhe rrjetëzimin në mes të bizneseve shqiptare të Zvicrës dhe atyre të Ballkanit, gjegjësisht të vendeve të prejardhjes të të përmendurve më lart.

Si bashkorganizator ka folur edhe Dr. Bashkim Iseni, i cili është përqendruar në rolin e albpoint në vendosjen e urave lidhëse në mes të bizneseve të diasporës, atyre të Zvicrës dhe të vendeve si Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka shrehur gatishmërinë dhe përkushtimin për të promovuar klimën tërheqëse të biznesit në Kosovë. “Ne angazhohemi aktivisht në dialogë dhe partneritete anembanë botës, duke treguar potencialin e madh brenda kufijve tanë”, tha Rafuna.

Edhe David Garcia, kryetar i posazgjedhur i  Odës Ekonomike Zvicër-Kosovë, e ka cilësuar si shumë të rëndësishëm Forumin e Gjenevës, duke ofruar mbështetjen për bashkimin e bizneseve ndërmjet dy vendeve.

Afaristi i njohur shqiptar nga Zvicra, Fehmi Fetahi, ka përshëndetur pjesëmarrësit në cilësinë e shefit të Bordit drejtues të Forumit të bizneseve shqiptare në diasporë, duke përgëzuar platformën mediale albinfo.ch për këtë organizim.

Serinë e prezantimit të firmave në kuadër të forumit e hapi prezantimi i kompanisë së madhe në sferën e ndërtimit, asaj “Orllati”, me seli në Lozanë, Vaud. Erlinda Orllati, e bija e themeluesit, Avni Orllati, përmes projektimeve në video ka bërë një prezantim të gjerë të gjigantit ndër më të mëdhenjtë dhe më të suksesshmit, të ndërtimit në Vaud dhe në gjithë Zvicrën. Me 960 punëtorë, me 80 kantiere që udhëheq aktualisht dhe me disa nga ndërtimet më impozante në regjion e më gjerë, “Orllati” ka fituar me meritë statusin që gëzon në mesin e ndërtimtarëve më të mëdhenj dhe më cilësorë të Zvicrës.

Labinot Haxhaj, duke prezantuar kompaninë e tij Probat Group, ka folur për fillet e tij, si i ardhur rishtas nga Kosova, para rreth njëzet vjetësh me gjithsej 2-3 punëtorë. Tani kompania e tij e krijuar edhe me blerjen e 12 firmave të tjera, numëron disa qindra të punësuar dhe drejton projekte të mëdha ndërtimi në regjion. Ai ka thënë se një model për punën e tij ka pasur edhe mikun e tij, Avni Orllati, themeluesin e Orllati Group.

Krahas projekteve të shumta në Zvicër, Haxhaj ka filluar të realizojë edhe një ëndërr të tij të kahershme: investimin në atdhe, në Kosovë. Labinoti ka inkurajuar të gjithë afaristët nga diaspora të investojnë edhe në atdhe. Këtë do ta bëjnë tashmë jo vetëm nga lidhja emocionale, por edhe si burim solid përfitimi, krahas kontributit në rritjen e punësimit atje.

Edmond Gerveni

DM Bau AG, kompani që vepron prej 25 vjetësh, e specializuar për ndërtime modulare prej druri dhe e udhëhequr nga Labinot Pirkuqi, është prezantuar nga Edmoind Gerveni, këshilltar i bordit. Kompania punon me sukses në nëntë pika të ndryshme në Zvicër.

Më tutje është prezantuar kompania arkitekturore Modium Group nga CEO i saj, Burim Bajraktari, si një kompani që i ka sjellë arkitekturës një dimension të ri.

Xhesiana Lataj

Në Forumin e Gjenevës ,  “Balfin Real Estate, kompania lider në Shqipëri në fushën e pasurive të patundshme ka prezantuar projektet premium në zonat më ekskluzive të bregdetit shqiptar nëpërmjet përfaqësueses së saj në Zvicër, Xhesiana Lataj.”

Me debatin në një panel të përbërë nga specialistë të fushave të tyre përkatëse, si Pren Pervorfi, COO i kompanisë së njohur të financave smzh, Liburn Mehmetaj, avokat nga Gjeneva (njëherësh kryetar i LAPSH të Zvicrës), Burim Bajraktari etj., janë përmbyllur punimet e suksesshme të forumit të mbajtur dje në Gjenevë.

Forumin, i cili është transmetuar drejtpërdrejt në rrjetet sociale të palformës mediale albinfo.ch, e ka moderuar me sukses dhe me kompetencë moderatori i njohur nga Prishtina, Berat Miftari.

Ndërmarrësit kanë bashkëbiseduar në takime B2B  dhe në fund janë bashkuar me një darkë të përbashkët speciale, ku kanë shijuar verën e Kosovës Stone Castle. Përfaqësuesi i kësaj vere në Zvicër është Ismet Bajrami.

albinfo.ch 

Më shumë foto të realizuara nga Fiona Murtaj në linkun në vijim: https://drive.google.com/drive/folders/1ivaznHeCpS8cC13U_pvEQxC-v-h3C7zW?usp=sharing