Forumi shqiptar-zviceran i financave në Zvicër, një sukses i plotë

7 minutes read
273 Views

Platforma mediale Albinfo.ch (online&print) ka organizuar të premten forumin e parë shqiptar-zviceran për financa, sigurime dhe patundshmëri

E shtunë, 18 Nëntor 2023 – 17:43B. SH.

Shqiptarët, profesionistë në fushën e financave, bankave dhe patundshmërive, kanë treguar tashmë praninë e tyre të madhe dhe shpesh përcaktuese, në fushat përkatëse, në Zvicër. Për të bërë ata bashkë me përfaqësues të sektorit të bankave dhe të financave nga Kosova dhe Shqipëria, për të ballafaquar kështu dhe këmbyer përvojat, platforma mediale Albinfo.ch (online&print), ka organizuar të premten forumin e parë shqiptar-zviceran për financa, sigurime dhe patundshmëri.

Mbi përmasat dhe nivelin e këtij organizimi flet edhe vendi ku ai u mbajt: në një sallë të muzeut të FIFA-s, në zemër të Cyrihut. Ndërsa folësit në forum dhe nëpër disa panele që u zhvilluan për tema specifike, ishin përfaqësues bankash dhe kompanish të fuqishme nga Zvicra, Kosova dhe Shqipëria.

Punimet e forumit i ka hapur, në cilësinë e nikoqirit, drejtori i platformës mediale Albinfo.ch (online&print), Sevdail Tahiri. Ai ka kujtuar me këtë rast se me këtë forum që po mbahet në muzeun e futbollit botëror, shqiptarët po tregojnë, veç tjerash, se janë të suksesshëm edhe në fusha të tjera, përtej atyre të futbollit, gjegjësisht në financa, patundshmëri, sigurime etj.

Më tutje Tahiri ka thënë se platforma të cilën ai e drejton, krahas misionit të saj bazë, informimit, përpiqet të kontribuojë edhe në lidhjen, rrjetëzimin e resurseve të shqiptarëve në Zvicër, sipas fushave përkatëse, sikur në këtë rast, në fushat e financave dhe patundshmërive. “Synimi i këtij evenimenti të parë është të bëhet një inventar i gjendjes aktuale të këtyre fushave në suaza të diasporës shqiptare, të rrjetëzojë firmat shqiptare-zvicerane aktive në këto aktivitete ekonomike, qofshin ato në Zvicër, Kosovë, Shqipëri apo gjetiu, me qëllim që të hulumtohen mundësi të reja zhvillimi apo investimi në Zvicër apo në Kosovë, Shqipëri, si dhe në vendet e tjera të Ballkanit. Kjo ngjarje do të promovojë për herë të parë figura të njohura më me ndikim në sektorin e bankave dhe financave”, ka thënë veç tjerash Sevdail Tahiri.

Pjesëmarrësit në forum në vazhdim i kanë përshëndetur ambasadori i Republikës së Kosovës, z. Sami Ukelli dhe ai i Republikës së Shqipërisë, z. Mustafa Nano. Ata, në fjalët e tyre të përshëndetjes kanë shprehur kënaqësinë për zhvillimet pozitive në diasporën shqiptare të Zvicrës, që po shihen edhe në këtë aktivitet impozant.

Dy ambasadorët kanë falënderuar platformën Albinfo.ch për nismën e një organizimi të tillë, duke e identifikuar këtë platformë si pikë të pashmangshme referimi kur kemi të bëjmë me suksesin që po shënon komuniteti shqiptar në integrimin e tij në Zvicër.

Vazhdimi i forumit është karakterizuar nga një numër i madh prezantimesh të ekspertëve të fushave përkatëse dhe debatesh profesionale në panelet lidhur me tema specifike.

Kështu, Gzim Hasani, CEO i kompanisë SMZH AG, njëherësh partneri kryesor i Albinfo.ch në organizimin e këtij forumi ka shpalosur historinë dhe aktualitetin e kompanisë që ka themeluar dhe e bashkëdrejton. Ai ka folur në mënyrë të përmbledhur për portofolion e SMZH AG, e cila në një kohë të shkurtër të ekzistimit është imponuar si subjekt afarist shumë serioz dhe kompetitiv në tregun në të cilin operon. Tema e referimit të tij kishte të bënte me zhvillimet aktuale në financat e qëndrueshme.

Partnerin tjetër të organizimit të forumit, kompaninë Numarics e ka prezantuar Kristian Kabashi, bashkëthemelues i saj. Ai ka treguar një histori mbresëlënëse të ardhjes së tij në Zvicër, nga Gjermania ku jetonte më parë, ikjen pastaj në SHBA dhe kthimin, përfundimisht në Zvicër. Braktisja e Zvicrës në vitin 2006 ka ndodhur për shkak të një trajtimi paragjykues që, sipas tij, i bëhej asokohe komunitetit shqiptar në këtë vend.

Më shumë se 10 vjet më vonë, kjo atmosferë kishte ndryshuar, Zvicra ishte bërë më e hapur dhe më liberale. Në këto rrethana ai ka vendosur t`i kushtohet themelimit të kompanisë Numarics, e cila dallohet për shumë inovacione që ka futur në veprim. Numarics është një kompani në ekspansion dhe aktualisht ajo, përveç në Zvicër dhe në SHBA, ka hapur përfaqësi edhe në Kosovë.

Sibell Horosani, drejtoreshë e sektorit “Private Banking” në Bankën BKT, Kosovë, ka elaboruar shifrat dhe të dhënat e punës së sektorit që drejton. BKT është zgjedhur banka më e mirë në Kosovë vitin e kaluar.

Një referim mjaft interesant ka qenë ai i ekspertit Andi Gjonej, CEO i kompanisë Union of Financial Corners SA Switzerland, me seli në Gjenevë. Gjonej ka prezantuar këtu pjesë nga një studimi që ka realizuar kompania e tij mbi remitencat në Kosovë.

Nga ky studim atij i rezulton se Kosova është ndër vendet që marrin më së shumti remitenca jo vetëm në Evropë, por edhe në botë. Ai ka prezantuar shifra që saktësojnë këtë realitet dhe ka konstatuar se remitencat vazhdojnë të rrjedhin pa u zvogëluar edhe sot, kur kemi një brez të ri të mërgimtarëve. Siç dihet tashmë, burimet kryesore të këtyre remitencave janë Gjermania dhe Zvicra.

Paneli i parë është titulluar “Mundësitë dhe sfidat e bashkëpunimit Zvicër-Kosovë-Shqipëri, në sektorin e financave”. Në këtë panel kanë marrë pjesë Fabiola Rama, specialiste financash në menaxhimin e CHAlbania, Pren Pervorfi,  COO, Anëtar i Komitetit Ekzekutiv në GenTwo, Anëtar i Bordit Oepfelbaum IT Management AG, dhe Anëtar i Bordit Këshillimor smzh AG, Kristian Kabashi, bashkëthemelues i Numarics dhe The Blank Collar, si dhe Alban Berisha, drejtor i Departamentit të Thesarit në BKT Kosova.

Krenar Batusha, CEO i kompanisë Pro Real Estate & Construction Kosova, ka referuar mbi temën “Patundshmëritë: cilët janë blerësit dhe shitësit në Zvicër, Kosovë dhe Shqipëri”, me ç`rast ka prezantuar kompaninë dhe fondacionin që ka themeluar ajo për qëllime humanitare.

Dritan Xheladini ka prezantuar kompaninë e njohur nga Shqipëria, gjigantin Balfin real Estate Albania, e cila, me shumë projekte të mëdha ka njohur një zhvillim edhe jashtë vendit. Münür Aslan, themelues dhe CEO i Prestaflex Switzerland, ka folur për përvojat e kompanisë së tij, e cila një pjesë të madhe të klientëve e ka nga komuniteti shqiptar i Zvicrës.

Tema e panelit të dytë ishte “Mundësitë dhe sfidat e bashkëpunimit në sektorin e patundshmërive Zvicër-Kosovë-Shqipëri. Pjesëmarrës në panel ishin: Agron Krasniqi, Specialist Shitjesh & Menaxher Klient Ndërkombëtar në Pro Real Estate & Construction, Kosovë • Eltion Koçi, Drejtor i Shitjeve, Balfin Real Estate Albania • Petrit Vllasi, specialist i hipotekave, Financa, Zvicër.

Të gjithë aktivitetin e ka drejtuar dhe moderuar, me kompetencë të lartë, gazetari dhe moderatori i njohur nga Prishtina, Berat Miftari.

Këta ishin partnerët dhe sponsorët e aktivitetit:

Financa, Sigurime dhe Real Estate, Forumi i parë Zviceran-Shqiptar, organizuar nga Albinfo.ch, Media Platforma online & print në Zvicër, në partneritet me Swiss Management AG, Numarics, Banka Kombëtare Tregtare e Kosovës, Pro Real Estate Kosova Sponsor: Prestaflex Services GmbH Zvicër, GREEN COAST Albania, Prenaj Immobilien Switzerland, Union of Financial Corners, Air Prishtina, La Perle Events.

(Fotot: Fiona Murtaj, albinfo.ch)

Forumi është tansmetuar live në rrjetetet sociale të albinfo.ch:

VIDEO LINK

VIDEO LINK PJESA E DYTE!

Në linkun më poshtë gjeni më shumë foto:

https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Falbinfo.ch%2Fposts%2F741419214691658&show_text=true&width=500